Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti paraditen e së hënës në Presidencë 12 sportistët shqiptarë, të cilët do të na përfaqësojnë në edicionin e dytë të Lojrave Europiane, që zhvillohen nga data 21 deri 30 qershor në Minsk 2019 të Bellorusisë dhe vijnë të transmetuara ekskluzivisht nga TRING. Kreu i shtetit iu drejtuar me fjalë përshëndetëse përfaqësuesve shqiptarë, të cilët do të garojnë në disiplina si boks, çiklizëm, mundje, xhudo dhe qitje. Teksa u ka ururar sportistëve suksese dhe përfaqësim dinjitoz të ngjyrave kuq e zi. “Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’iu dorëzoj sot Flamurin, me bindjen se ju jeni më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojra mjaft të rëndësishme. Jemi që të gjithë krenarë për punën tuaj, për talentin dhe shpirtin tuaj të garës dhe ju uroj suksese pasi ky është flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Sporti ka treguar e ka ditur në momente të rëndësishme të ngrejë lart ndjenjën kombëtare përmes sukseseve dhe arritjeve, që nuk na kanë munguar dhe të cilat mezi po i presim tani në Bjellorusi. Shpresojmë t’ju takojmë edhe pas kësaj ngjarjeje të madhe për të festuar arritjet tuaja. Forca dhe suksese!”, ishin fjalët e kreut të shtetit.
Ndërkohë që në përfundim i ka dorëzuar boksierit Krenar Zeneli edhe flamurin kombëtar, përderisa ai është caktuar si flamurmbajtës i Shqipërisë në ceremoninë e hapjes së këtyre Lojrave Evropiane që zhvillohet të premten në ora 21:00. “Ndihem shumë i nderuar që do të jem unë flamurmbajtësi në këtë veprimtari madhështore. Shpresojmë që t’i sjellim sa më shumë medalje vendit tonë dhe ta nderojmë në podiumin e Europës.” – u zotua boksieri Zeneli, në emër të të gjithë Ekipit Olimpik Shqiptar.