Një javë pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e pezulloi përjetësisht nga aktivitetet e saj, Vitaly Mutko ka njoftuar tërheqjen e përkohshme nga posti i Kreut të Federatës Ruse të Futbollit. 59-vjeçari ka qenë Ministër i Sporteve, ndërsa aktualisht mban postin e Kryeministrit në Federatën Ruse. Krahas posteve politike, ai ka qenë edhe Kreu i Fedratës së Futbollit dhe njëkohësisht kryetar i Komitetit Organizativ të Kupës së Botës Rusi 2018-të. Këtë post të dytë, thuhet se ai do të vazhdojë ta ushtrojë. Përmes një komunikate për shtyp Mutko deklaroi se funksionet e tij si kryetar i Federatës do t’i ushtronte zëvendësi i tij, Alexander Alayev, për së paku 6 muajt e ardhshëm. Mutko tha se gjatë kësaj kohe ai do të përballet me çështjet që kanë të bëjnë me skandalin e dopingut, ku Komiteti Olimpik ka zgjeruar listën e të pezulluarve përjetësisht nga aktivitetet, duke përfshirë tashmë edhe zyrtarët e lartë. 59-vjecari është shprehur i vendosur dhe këmbëngulës në pavërtetësinë e pretendimeve të Komitetit rreth një dopimi sistematik, të sponsorizuar nga shteti për atletët rus. Ndërkohë pavarësisht vendimeve të Komitetit Olimpik, FIFA ka refuzuar të ndjekë shembullin e saj, dhe nuk ka asnjë masë për Mutkon. Sipas Qeverisë botërore të Futbollit, cështja e dopimit në lojërat olimpike dimërore, nuk ka të bëjë aspak me futbollin.