Kovaçiç drejt largimit nga Chelsea, por lojtari mund të qëndrojë në Angli

Sport

Mateo Kovaçiç një prej lojtarëve jo të preferuar të trajnerit Mauricio Pochettino tek Chelsea, kështu që largimi i tij këtë verë nga Blutë e Londrës duket mëse i sigurt. Mirëpo, kroati mund të ndërrojë skuadër, por jo kampionat.

Mediat në ishull, shkruajnë se është pikërisht Manchester City që interesohet për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Trajneri Pep Guardiola dëshiron ta ketë ballkanasin pjesë të organikës, sepse e shikon atë si një futbollist, që plotëson parametrat për t’u përshtatur në modulin e tij të lojës.

Nga kampionët e Premier League, këtë verë pritet të largohet Ilkay Gundogan, e për këtë arsye, Pep kërkon një zëvendësues të turko-gjermanit.

Nga ana tjetër, Kovaçiç ka një kontratë të vlefshme me Chelsean deri në verën e 2024-tës, ndërsa vlera e tij aktuale në treg konsiderohet 40 mln euro. Përtej faktit që nuk shihet si pjesë e projektit nga Pochettino, duket se është edhe vetë dëshira e ish-lojtarit të Realit që të ndërrojë ambient. Madje, disa kohë më parë, 29 vjeçari ka refuzuar edhe një rinovmin të kontratën me Blutë e Londrës.

Në kushte si këto, duket vetëm çështje kohe, për të mësuar se ç’do të ndodhë me të ardhmen e Kovaçic. City mbetet në pole-position për të siguruar shërbimet e kroatit dhe është pikërisht trajneri Pep Guardiola që mund të luajë një rol kyç në transferimin e futbollistit në “Etihad”.

Aventura e Kovaçiç me Chelsean nisi në vitin 2018-të, e prej atëherë ka luajtur 221 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke dhënë një kontribut me 6 gola dhe 15 asiste. Gjatë këtij rrugëtimi, mesfushori ka fituar 4 trofe me blutë. Një Champions League, një Europa League, një Superkupë Europe dhe Botërorin e Klubeve.