Leroy Sane është ëndrra e madhe për këtë merkato verore të Bayern Munich dhe kampionët e Gjermanisë duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë prej tij. Pavarësisht se tek Manchester City, trajneri Guardiola u shpreh se klubi anglez dëshiron që Sane të qëndrojë, Bayern është e gatshme të shpenzojnë edhe shuma të pamenduara më parë për të marrë shërbimet e gjermanit. Sane nuk ka qenë i lumtur gjatë sezonit të fundit tek Manchester City, ku pjesën më të madhe të ndeshjeve i ka luajtur si zëvendësues. Tek Bayern ai mund të ketë një rol prej lideri, pasi shihet si zëvendësuesi i Franck Ribery në krahun e majtë. Lajmi se Bayern do të nënshkruajë medoemos me Sane e ka konfirmuar edhe trajneri i skuadrës bavareze, Niko Kovac.
Kroati pranoi se transferimi i 23-vjeçarit është një mision mjaft i vështirë, por ai është i bindur se njerëzit që po punojnë për blerjen e Sane do t’ja dalin mbanë me sukses. Kovac shtoi se Sane është një nga të paktët lojtarë që mund të përforcojë ndjeshëm Bayern dhe padyshim që ardhja e tij tek kampionët e Gjermanisë do të mirëpritej nga të gjithë. Vetë Sane nuk e ka mohuar dëshirën që të rikthehet në vendlindjen e tij dhe Bayern do të ishte një shans i shkëlqyer për t’i treguar Manchester City se ka gabuar me të gjatë sezonit të fundit. Anglezët nga ana tjetër nuk kanë ndërmend të bëjnë ulje për kartonin e lojtarit dhe pretendojnë më shumë se 150 milionë euro për të. Bayern po përpiqet të ulë sa më shumë kostot e këtij operacioni, por nëse tek Manchester City nuk heqin dorë, gjermanët janë gati të bëjnë një investim të tillë kolosal për ta.