Senegali arriti të mposhtte 2-1 Poloninë, duke surprizuar jo pak tifozë, por për mbrojtësin e Napolit, Kalidou Koulibaly kjo nuk është diçka e papritur.
27-vjeçari është shprehur se skuadra afrikane ka cilësi dhe të gjithë janë të etur për të bërë historinë. Megjithatë, vëmendja më e madhe e deklaratave të tij ishin te lidhura me Napolin, e për më tepër me trajnerin e ri të të kaltërve, Carlo Ancelotti. Koulibaly nuk i ka kursyer elozhet për trajnerin e tij të ri, duke e cilësuar si një emër të madh, e si njeriu i duhur që do të udhëheqë Napolin drejt triumfeve, sidomos tek ajo në Serie A në Itali.
Senegalezi tha se Ancelotti komunikon shpesh me të dhe me lojtarët e tjerë të skuadrës, pasi është i interesuar që të gjithë të bëjnë sa më mirë në botëror. Ancelotti u ka dhënë lojtarëve besim dhe u ka garantuar se do bëjë maksimumin për të zhvilluar një sezon të madh me Napolin si në kampionatin italian, ashtu edhe “Champions League”.
Kalidou Koulibaly u bë pjesë e Napolit në verën e vitit 2014, ku u transferua nga belgët e Genk për shifrën e 7.5 milionë eurove. Sezonin që lamë pas ai zhvilloi 45 ndeshje me fanellen e kaltër, ku ia ka dalë të shënojë edhe 5 gola.