Në Zyrih të martën u luajt miqësorja e shumëpritur, që konsiderohej madje deri edhe vllazërore, midis Zvicrës dhe Kosovës. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0, me Dardanët që kishin disa raste shënimi, por ia dolën t’i konkretizojnë. Gjithsesi, ekipi kosovar do zhbllokonte takimin sapo filloi e dyta. Ishte pikërisht Milot Rashica që bëri gjithçka mirë, duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 52-të.
Dhe në një stadium ku ishin të shumtë tifozët shqiptar, lojtari kosovar s’e la pa e bërë as simbolin e shqiponjës gjatë festimit. Barazimi do vinte nga Lutombo, pas pak minutash në të 61-tën.
Deri në fund, rezultati do të mbetej i pandryshuar, pavarësisht përpjekjeve konkrete nga të dyja palët. E veçanta e kësaj ndeshje miqësore ishte se për Zvicrën luajtën tre shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri, i vetmi që u kontestua nga dardanët për shkak të refuzimit të fanelës së Kosovës.
Si dardanët, edhe zviceranët mbyllën takimet e marsit, për t’u kthyer në fushë në qershor, në Nations League. Kosovarët janë në grupin e 2-të të Ligës së Kombeve, bashkë me Qipron, Greqinë dhe Irlandën e Veriut. Takimet e radhës ndryshe nga këto të muajit mars, do të jenë tejet të rëndësishme për skuadrën e trajnerit Alan Zhires.