Kosova shkroi një faqe historie në “Fadil Vokrri”, duke mposhtur Suedinë me rezultatin surprizë 2-0, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës. Heroi i mbrëmjes u bë Elvis Rexhbeçaj, i cili realizoi golin e parë të Kosovës në përballjet direkte ndaj suedezëve. Pas një topi të gjatë, mesfushori u gjend përballë portierit Robin Olsen: tentativa e parë u ndal, por Rexhbeçaj reagoi i pari dhe shtyu topin në rrjetë për 1-0. Vetëm në minutën e 42-të, ishte Vedat Muriqi që dyfishoi shifrat, pasi u shërbye në mënyrë perfekte nga Albion Rrahmani. Pavarësisht se Suedia dominoi në zotërim topi dhe tentoi shpesh, mbrojtja e organizuar e skuadrës së Franco Fodës nuk lejoi hapësira. Viktor Gyökeres pati një rast të mirë në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë trajneri Jon Dahl Tomasson aktivizoi edhe Alexander Isak, por pa rezultat. Kosova, përveçse u mbrojt me disiplinë, gjeti forca të rrezikonte sërish në kundërsulm. Florent Muslija pati rastin për golin e tretë, por gjuajtja e tij shkoi jashtë. Në minutat e fundit, Dardanët mbetën me një lojtar më pak pas përjashtimit të Lindon Emërllahut me karton të kuq vetëm gjashtë minuta pasi hyri në fushë, por edhe kjo nuk mjaftoi që Suedia të ndryshonte fatin e takimit. Me këtë fitore, Kosova ngjitet tashmë në vendin e dytë të grupit. Për Suedinë, kjo disfatë është një goditje e rëndë, pasi tashmë mbetet pesë pikë prapa liderit dhe jashtë objektivit për kualifikim direkt.
