Nuk i bëri mbyllje të mirë këtyre eleminatoreve të Europianit as Kosova, që u mposhtën 0-4 në ‘Fadil Vokrri’ nga një tjetër superfuqi e futbollit botëror, sic është Anglia. Mirëpo ndryshe nga Shqipëria, “dardanët” i dhanë fund kësaj faze kualifikiese në pozicionin e tretë me 11 pikë.
Duke vuajtur mungesa të mëdha si ato të Vedat Muriqit, Arbër Zenelit, Herolind Shalës, apo Hekuran Kryeziut, skuadra e Challandes e kishte të pamundur për të rrezikuar shumë “Tre Luanët”.
Harry ëinks i Tottenham zhbllokoi rezultatin duke realizuar në minutën e 32-të, aq sa mjaftoi që anglezët të mbyllnin në avantazh pjesën e parë të ndeshjes. Ndërsa në të dytën, anglezët e gjetën rrjetën edhe tre herë të tjera. Megjithëse gjithcka ndodhi praktikisht në 10 minutat e fundit.
Fillimisht realizoi Harry Kane në të 79’, teksa 4 minuta më vonë u pasua edhe nga Marcus Rashford (83’). Kurse Mount në minutën e 90’ vulosi rezultatin përfundimtar në 0-4 në favor të Anglisë që e blindoi vendin e parë në kuotën e 21 pikëve.
Sido që të jetë, mund të thuhet se Kosova e mbyll me kokën lart, pasi i tregoi botës se si përfaqësuesja e futbollit të një vendi të vogël, të anëtarësuar prej pak vitesh në UEFA e FIFA, mund të arrijë gjëra të mëdha. Pa harruar se ëndrra vazhdon për “dardanët”, pasi në mars do të kërkojë të shkojë në Evropian, përmes “play-off”-it të Nations League.