KOSOVA, HUMBJA I KUSHTON SHTRENJTE TRAJNERIT GIRESSE

Sport

Pritej të vinte fitorja e parë për Kosovën, por paprimtas përfaqësuesja dardane e drejtuar nga Alain Giresse u mposht 2-1 përballë Bjellorusisë në ndeshjen e luajtur në një fushë asnjëanëse si ajo e Budapestit. E kështu, Rrahmani me shokë kanë regjistruar disfatën e parë në grupin I të eliminatoreve të Euro 2024.

Dardanët bënë pak në fraksionin e parë të sfidës, teksa pjesa e dytë nisi mirë, me rastet që nuk munguan, por lojtarët e Giresse nuk ia dolën të mposhtnin portierin Ignatovich.

Më pas erdhi gafa fatale e Hekuran Kryeziut, i cili i dhuroi një “asist” Vladislav Morozov, me 22-vjeçarin bjellorus që zhbllokoi rezultatin. Kosova u gjen e “shokuar”, prandaj Bjellorusia realizoi edhe golin e dytë dy minuta më vonë përmes Maks Ebong.

Tre minuta përpara fundit, Vedat Muriqi shënoi golin e nderit, pasi fitoi një penallti dhe ekzekutoi saktë. Por nuk kishte më kohë, Bjellorusia menaxhoi avantazhin dhe siguroi suksesin e parë në grup.

Kosova mbetet në kuotën e 3 pikëve pas katër ndeshjeve të para. Humbja me Bjellorusinë mund t’i kushtojë Kosovës edhe me humbjen e shpresës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian Euro 2024.

Konkretisht, barazimi 2-2 i Rumanisë me Zvicrën dhe fitorja e Izraelit 2-1 ndaj Andorrës e ka rënduar edhe më shumë situatën në renditjen e grupit. Përderisa izraelitët e vendit të tretë, tashmë gjenden të shkëputur 4 pikë nga dardanët, të cilët do t’u duhet një mrekulli.