E papërmbajtshme, Kosova! Djemtë e Challandes triumfuan me rezultatin 2-3 në transfertën ndaj Bullgarisë, në përballjen e saj të tretë në këtë fushatë kualifikuese të Euro 2020. Një fitore in-extremis dhe si shpërblim lojës së bukur dhe ngulmimit deri në frymën e fundit. E tashmë përfaqësuesja kosovare mund të guxojë edhe të rivalizojë Anglinë kryesuese dhe favorite kryesore të grupit. Pas ndeshjeve të treta (me anglezët që pushuan pas Nations League), Kosova renditet në vend të tretë në kuotën e 5 pikëve, pas Anglisë me 6 pikë në dy ndeshje dhe Republikës Çeke në të njëjtën kuotë, por me tre ndeshje të luajtura. Kombëtarja e Kosovës lë kështu pas vetes Malin e Zi në kuotën e 2 pikëve (pasi malazezët u mposhtën nga Çekia me rezultatin 3-0) teksa edhe Bullgaria gjendet në të njëjtën kuotë.
Por sikur të mos mjaftonte kaq, Kosova, njëlloj si Anglia, është e pamposhtur në Grupin A. Përfaqësuesja Kosovare ka vijuar kështu rekordin e saj pozitiv me plot 8 ndeshje kualifikuese pa pësuar humbje, ndërsa në total, kombëtarja më e re nuk njeh disfatë prej 13 ndeshjesh. Saktësisht prej 09 tetorit 2017 kur mundej nga Islanda me rezultatin 2-0.