Në kontratën që Harry Kane firmosi me Bayernin në verën e 2023-shit, është aktivizuar një klauzolë, e cila i jep mundësi lojtari, të rikthehet sërish në Premier League. Siç është zbuluar nga mediat e huaja, klauzola është bërë active përgjatë Janarit të këtij viti dhe është afërsisht 80 milionë euro. Ndërsa në Janarin e ardhshëm, kur Kane të jetë 32 vjeç, klauzola do të zbresë në 65 milionë euro, duke i dhënë kësisoj mundësinë një klubi të Premier League për të bërë të mundur transferimin e Kane.
Megjithatë, vetë sulmuesi, nuk është duke e menduar aspak diçka të tillë. Shtatlarti i ofensivës ndihet i lumtur në radhët e Bayern Munich dhe rikthimin në ishull nuk e ka në konsideratë. Ndonëse prej vitesh, Kane është një prej sulmuesve më të mirë në qarkullim, dhe është një prej sulmuesve me më shumë gola, anglezi nuk ka arritur të fitojë dot asnjë trofe në karrierë, qoftë të madh apo të vogël.
Madje, ky ishte pikërisht edhe një nga synimet e transferimit të Kane në radhët e Bayernit. Ambicia e 31 vjeçarit ishte të fitonte trofe të mëdhenj me 6 herë kampionët e Europës, qoftë Bundesligë, apo edhe Champions League. Mirëpo, në sezonin e tij të parë në Allianz Arena, Kane, sërish nuk ia doli dot të fitonte asnjë medalje. Këtë edicion, situata duket pak më ndryshe, të paktën në Bundesligë, teksa bavarezët janë në vendin e parë dhe konsiderohen kandidatët potencialë për të fituar kampionatin.