Kontrata e Neymar me Al Hilal, braziliani do të trajtohet si mbret në Lindjen e Mesme

Sport

Neymar JR do të trajtohet si mbret në Arabinë Saudite. Sulmuesi përflitej se do të rikthehej sërish në radhët e Barcelonës, mirëpo oferta e ardhur nga Lindja e Mesme, ktheu gjithçka përmbysë. E në fakt, bëhet fjalë për një ofertë, ndoshta, do të tundonte gjithëkënd.

Në vetëm dy sezone në skuadrën e Al Hilal, Neymar, pritet të përfitojë në total, 300 ose 400 milionë euro, kjo mbetet për t’u përcaktuar. Më tepër se kaq në Arabi, përfitojnë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema. Më tej, ashtu sikurse CR7, edhe Neymar do të ketë mundësinë të bashkëjetojë me partneren e tij, Bruna Biancardi, ndonëse ata nuk janë të martuar.

Futbollisti do të qëndrojë në një vilë që ta konsiderosh luks, është pak. Po ashtu, ai do të ketë në dispozicion të tij edhe një aeroplan privat. Nuk mbaron me kaq. Për çdo postim në rrjetet e tij sociale, apo në historisë 24 orëshe, në të cilat ai do të reklamojë Arabinë Saudite, Neymar do të arkëtojë plot 500 mijë euro. Këto do të jenë privilegje, që Neymar do t’i përfitojë jashtë fushës së lojës, sepse ato brenda saj, janë gjithashtu një histori më vete.

Për çdo fitore që Al Hilal do të marrë në tapetin e blertë, për Neymar do të ketë një bonus prej 80 mijë eurosh dhe nuk ka rëndësi nëse ai shënon ose jo. Me rikthimin në Barcelonë që tashmë mbetet veç një ëndërr, mbetet për t’u parë se si do të shkojë aventura e brazilianit në Lindjen e Mesme.