Pauza e Kombëtareve ka rezultuar e pafatë për Juventusin. Kapiteni i skuadrës bardhezi, Danilo, është dëmtuar me përfaqësuesen braziliane në përballjen ndaj Venezuelas. Testet e kryera, kanë nxjerrë përfundime aspak pozitive, teksa është konfirmuar se lojtari ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë dhe si pasojë do të mungojë për një periudhë 2 javore.
Menjëherë pas lëndimit, anësori i linjës së djathtë është kthyer në Torino, atje ku ka kryer ekzaminimet, ndërsa ka nisur menjëherë procesin e rikuperimit.
Në rrethana të tilla, Danilo do të mungojë në ndeshjet e ardhshme të skuadrës së tij, duke filluar nga ajo me Milanin në 22 Tetor në “San Siro”. Kapiteni 32 vjeçar i Zonjës së Vjetër ka luajtur çdo minutë të sezonit deri më tani, duke mos u zëvendësuar asnjëherë nga trajneri Allegri, por që tashmë për dy javë, është i detyruar t’i ndjekë nga tribuna ndeshjet e skuadrës së tij.
Mirëpo, për trajnerin Massimiliano Allegri, lista e dëmtimeve nuk mbyllet me Danilon, teksa braziliani është thjesht lojtari i radhës që është bërë pjesë e infermierisë bardhezi. Për këtë arsye, transferta ndaj Milanit, do të jetë mjaft e komplikuar për Juventusin, sepse Allegri nuk do të ketë në dispozicion as një tjetër mbrojtës, Alex Sandron, gjithashtu të dëmtuar.
Deri në këtë fazë të sezonit, me vetëm 6 gola të pësuar, juventusi është mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit. Më pak ka pësuar vetëm Interi, me zikaltërit që e kanë nxjerrë 5 herë topin nga rrjeta.