Konfirmohet dënimi për Nicolo Fagiolin. Për shkak të aktivitetit me baste online në platforma të paligjshme, mesfushori i Juventusit është dënuar me 12 muaj pezullim nga aktiviteti. Në 7 prej këtyre 12 muajve, lojtari nuk do të ketë mundësi të luajë futboll, ndërsa në 5 prej tyre do të shfaqet në public për të sensibilizuar varësinë nga lojërat e fatit. Për 22 vjeçarin do të ketë edhe një gjobë prej 12 mijë e 500 eurosh.
Si pasojë, ky sezon futbollistik për Fagiolin konsiderohet i përfunduar. Ai pritet të kthehet në dispozicion të Juventusit në 18 Maj, në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, kundër Bolognas dhe Monzas.
Mediat italiane kanë zbuluar, se në dëshimë e dhënë përpara drejtësisë, Fagioli është shprehur se ka kaluar një periudhë me të vërtetë të vështirë. Madje, për shkak të borxheve, është kërcënuar nëse nuk do t’i shlyente në kohë. Ai ka pranuar gjithashtu se ka luajtur bast ndaj skuadrave si Torino, apo edhe Milan, por një gjë të tillë, asnjëherë nuk e ka bërë me Juventusin.
Një produkt i akademisë së klubit, pak nga pak, Fagioli ishte kthyer në një lojtar të rëndësishëm të Zonjës së Vjetër. Këtë sezon, në 8 ndeshje të Serie A, në 6 prej tyre, mesfushori e kishte nisur si titullar nën urdhërat e trajnerit Massimiliano Allegri.