Konfirmohet dënimi i Sandro Tonalit

Sport

Federata Italiane e Futbollit ka njoftuar se Sandro Tonali është dënuar me 10 muaj përjashtim nga futbolli, për shkak të angazhimit me baste online nëpërmjet platformave të paligjshme. Përveç këtij pezullimi, në paketën e ndëshkimeve, për mesfushorin do të ketë edhe 8 muaj të tjerë, të cilët do të shërbejnë si periudhë rehabilitimi, teksa bashkë Federatën, do të organizohen mbledhje me persona të rinj në moshë, ku do të diskutohen dhe do të shpjegohen efektet negative që shkakton aktiviteti i basteve.

Ndërkohë, Tonali ka nisur paralelisht një regjim specifik, duke përfshirë këtu edhe një psikolog, në mënyrë që ta ndihmojë atë të shkëputet përfundimisht nga bixhozi.

Thënë këtë, sezoni futbollistik 2023/24, mund të konsiderohet i përfunduar për Tonalin dhe ky nuk është aspak një lajm i mirë për Njukasëllin, që në Korrikun e këtij viti, e bleu lojtarin në fjalë për shifrën e 65 milionë eurove nga klubi i Milanit. Ish-futbollisti kuqezi nuk do të ketë mundësi të luajë me skuadrën e Njukasëll, deri në Gusht të 2024-tës. Megjithatë, sikurse bëjnë me dije mediat e huaja, mesfushori do të ketë mundësi të stërvitet normalisht në kampin stërvitor të klubit anglez, e po ashtu mund të luajë në ndeshjet miqësore.

Kontrata e italianit me klubin anglez është e vlefshme deri në verën e 2028-tës. Duke marrë parasysh këtë pezullim të 23 vjeçarit, Njukasëll mund të “ngrijë” edhe pagën e futbollistit dhe ta bëjë sërish aktive në momentin kur dënimi të përfundojë.