Massimiliano Allegri ndoshta kishte të drejtë kur në konferencat mediatike shprehej se Juventusi nuk është ende gati për të luftuar për titullin kampion. E në fakt, shumë shpejt, koha po vërteton fjalët e teknikut të Zonjës së Vjetër. Në javën e 24 të kampionatit, Juventusi është befasuar në shtëpi, teksa u mund me rezultatin minimal 1-0 nga skuadra e Udineses. Golin e vetëm të sfidës e shënoi mbrojtësi Lautaro Giannetti në minutën e 25 të pjesës së parë. Në këtë mënyrë, Giannetti është bërë vetëm mbrojtësi I tretë I Udineses që në 20 vitet e fundit, arrin të shënojë një gol me kokë në shtëpinë e Juventusit. Po ashtu, në 10 vitet e fundit në Serie A, Udinese, është një nga 3 skuadrat e vetme që brenda një edicioni të vetëm, ka arritur të fitojnë në shtëpinë e Juventusit dhe të Milanit. Diçka të ngjashme përgjatë kësaj kohe, e kanë bërë vetëm Sassuolo në sezonin 2021/22 dhe Napoli në sezonin 2022/23. Interesant është gjithashtu edhe fakti se Udinese, vinte nga një ecuri mjaft negative, prej 5 ndeshjesh pa fitore, teksa kishte pësuar 3 humbje dhe 2 barazime. Megjithatë, ekipi nga Friuli arriti të reagonte ndaj një kundërshtari që renditet në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit, e duke u larguar kësisoj me 3 pikë nga zona e kuqe, që të dërgon një kategori më poshtë. Nga ana tjetër, kjo ishte ndeshja e tretë radhazi pa fitore e Juventusit në Serie A, duke mbetur në këtë mënyrë në kuotën e 53 pikëve, 7 më pak sesa Interi I vendit të parë, por që diferenca mund të thellohet edhe më tepër, duke marrë parasysh që zikaltërit kanë një ndeshje më tepër për të rikuperuar. Thënë këtë, shpresat e titullit kampion për Juventusin mund të kenë marrë fund pikërisht të Hënën mbrëma nga ajo humbje me Udinesen. Në kushte si këto, objektivi I tanishëm I Zonjës së Vjetër është të sigurojë një nga 4 vendet e para, që të garanton pjesëmarrjen në Champions Leauge për sezonin e ardhshëm, një objektiv ky për të cilin Massimiliano Allegri kishte folur vazhdimisht, duke deklaruar me zë të lartë, se skuadra e tij nuk mund të garonte dot për titullin kampion, sepse nuk ishte ndërtuar për një objektiv të tillë dhe se lojtarët e tij nuk kanë eksperiencën e duhur për të rivalizuar deri në fund me Interin.
Në fund, por jo për nga rëndësia, bashkë me Marcello Lippin, Allegri tashmë është bërë trajneri I dytë me më shumë ndeshje ne pankinën e Juventusit, plot 405 në të gjitha kompeticionet. I pari në listë qëndron Giovanni Trapattoni me 596 takime.