Kombëtarja, priten rikthime ‘veteranësh’ për Ligën e Kombeve

Sport

chrst pann
Vetëm të shtunën, Christian Panucci do të shpallë zyrtarisht listën për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Skocisë. Mirëpo përmes shtypit kanë mundur të zbulohen disa indikacione në lidhje me grumbullimet e trajnerit italian. Kështu, në radhë të parë bie në sy fakti që do të ketë rikthime. Duke nisur nga kapiteni Ansi Agolli, me të cilin Panucci ka pasur edhe një kontakt direkt. Pa harruar as dy veteranë të tjerë, si Migjen Bashën dhe Ledian Memushaj, të cilët kanë munguar në listat e fundit të Kombëtares për shkak se trajneri ka dashur të provojë lojtarë të rinj. Ja që “eksperimentet” nuk dolën të suksesshme, prandaj italiani është detyruar të bëjë prapakthehu. E tashmë, meqënëse bëhet fjalë për ndeshje që luhen me një objektiv të qartë, nuk ka ndërmend të rrezikojë më. Edhe sepse e ndjen se posti i tij është vënë në dyshim.

komb
Gjithashtu pritet të ftohen edhe dy lojtarë të harruar prej ndeshjes së fundvitit të kaluar, si Ergys Kace dhe Jahmir Hyka. Mesfushori i Panathinaikosit shihet si një element që mund të bëjë punë në një mesfushë, ku do të ketë mjaft mungesa si pasojë dëmtimesh. Ndërsa Hyka do të jetë një alternativë e mirë si mbështetje prapa sulmit. Habit fakti që Panucci duket se nuk ka dërguar ftesë për Asdren Llullakun, një prej lojtarëve më në forrmë të fillimsezonit, ku ka shënuar edhe gola me Astran në Rumani. Por mesa duket kaq nuk mjafton për ta afruar. Po ashtu do të mungojë edhe Kristal Abazaj, i cili nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje zyrtare me Anderlechtin, edhe si pasojë e një dëmtimi që ka pasur. Me shumë mundësi, ish-lojtari i Luftëtarit do të thirret nga Shpresat e Alban Bushit, për të kontribuar për ndeshjen e 6 shtatorit në Kordoba ndaj Spanjës.