Tetori mund të konsiderohet pa fruikë si muaji i kuqezinjve. Fitorja në eleminatoret e Euro 2024, kundër Cekisë, pa lënë mënjanë edhe atë në miqësoren me Bullgarinë, kanë sjellë ngjitjen e disa pozicioneve për Kombëtaren shqiptare në klasifikimin që publikohet nga FIFA. Kështu, të besuarit e Silvinjo-s kanë fituar tre pozicione të tjera, duke u renditur tashmë në vendin e 59-të. Që nga momenti kur tekniku brazilian është ulur në stol, kombëtarja e Shqipërisë ka pasur vetëm rritje dhe këtë e vërteton edhe ky klasifikim i këtij muaji.
Shqipëria vijon progresin në këtë mënyrë me hapa të rëndësishëm, duke u gjendur aktualisht në kuotën e 1936 pikësh. Megjithatë, kuqezinjtë nuk kanë ndërmend të ndalen këtu pasi nëntori po afron dhe sfidat ndaj Moldavisë e San Marinos janë shumë vendimtare, pasi kërkohen 6 pikë të plota mbi të gjitha për të ruajtur kreun e grupit eleminator, e vecanërisht edhe për klasifikimin e FIFA. Rekordin historik sa i takon pozicionimit të Shqipërisë e mban Kombëtarja e drejtuar nga Gianni De Biasi, që shkoi deri në vendin e 22-të.
Ngjitje në FIFA ka regjistruar edhe Kosova, edhe pse dardanët zhvilluan vetëm një takim në muajin tetor, atë përballë Andorrës në transfertë, ndeshje të cilën djemtë e Primoz Gliha e fituan 0-3.
Ai ishte edhe suksesi i parë i dardanëve në grupin I të eliminatoreve të Euro 2024. Suksesi e ka dërguar Kosovën nga vendi numër 111 në atë 105, pra 6 pozicione më sipër krahasuar me një muaj më parë.N dërkohë që përballja me Izraelin, e programuar të luhej në “Fadil Vokrri”, u shty për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Kjo sfidë është programuar të zhvillohet në datën 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa Kosova mbyll fazën eliminatore të Euro 2024 me transfertën kundër Zvicrës (18 nëntor) dhe takimin shtëpiak në Prishtinë me Bjellorusinë (21 nëntor).