Kombëtarja, mesfusha e sulmi me pak dyshime

Sport

komb izrael
Nëse mbrojtja përbën një alarm më vete para përballjes me Izraelin, disi më të natyrshme duket se do të vijnë zgjedhjet kuqezi sa i takon mesfushës dhe sulmit. Migjen Basha do të jetë pika fikse e repartit qendror të skuadrës. Ish-mesfushori i Barit ka luajtur me sukses në 2 ndeshjet e fillimit të kampionatit grek me Aris, duke marrë vlerësime pozitive. Ndërkohë që pritet t’i jepet një fanelë titullari edhe një të rikthyeri tjetër si Taulant Xhaka – protagonist i 2 ndeshjeve të kampionatit dhe 1 të Kupës së Zvicrës me Bazelin -, megjithëse në javën e fundit u ndëshkua me karton të kuq. Andi Lila i Pas Janinës, që vjen nga dy ndeshje të forta si titullar me AEK-un dhe Olimpiakosin, duket se me shumë mundësi do të përbëjë pjesën tjetër të mesfushës. Në gatishmëri janë Sabien Lilaj, i aktivizuar rregullisht me Gabalan gjatë 3 javëve të para në Azerbajxhan, duhet të jetë pjesëtari tjetër i mesit të fushës. Nuk përjashtohet as një ingranim i Ledian Memushajt, që ka luajtur 2 ndeshje kampionati dhe 2 të Kupës me Pescaran në Serinë B.

komb
Një vend disi më të avancuar se mesfusha, do të ketë edhe Eros Grezda. Megjithëse vjen nga një dëmtim, Panucci duket se do ta ketë të vështirë të heqë dorë nga lojtari i ri i Rejnxhërsit, i cili do të aktivizohet disi më i avancuar në të djathtë. Teksa Jahmir Hyka duhet të jetë në krahun tjetër. Shtatshkurti tiranas është ai që vjen si lojtari më në formë dhe me më shumë minuta në këmbë nga të gjithë të grumbulluarit, përderisa është në aktivitet që prej muajit prill në Major League Soccer. Në majën e sulmit janë tre lojtarë, Balaj, Guri e Manaj, që luftojnë për një vend. Panucci duket i prirur të mbështetet tek përvoja më e madhe dhe njohja më e mirë me kuqezinjtë e Balajt. Ndonëse është Guri ai që ka më tepër minuta në këmbë. Sulmuesi i Oostende ka luajtur 402′ kundrejt 221′ të lojtarit të Akhmat Grozni (si në Belgjikë, edhe në Rusi ka 6 javë që luhet). E madje ka shënuar edhe 1 gol në Jupiler League të Belgjikës.