Skuadra kombëtare e Shteteve të Bashkuara në basketboll shihet si një ndër favoritet kryesore për të triumfuar në ‘Kupën e Botës’ në Kinë, por yjet më të mëdhenj të NBA do të mungojnë. Këtë vit, më shumë se kurrë më parë, kombëtarja amerikane është refuzuar gjerësisht nga lojtarët e NBA. Më saktë, plot 33 basketbollistë të NBA kanë refuzuar të bashkohen me skuadrën për ‘Kupën e Botës’. Emra si James Harden, Anthony Davis, Kyrie Irving, Kevin Durant, Russell Westbrook janë shprehur se nuk mund të bashkohen me skuadrën pasi duhet të punojnë për t’u përqëndruar tek sezoni i ri i NBA.
Distanca e largët me Kinën do të thotë një udhëtim prej 15 orësh, ndërsa edhe atje ata do të jenë të angazhuar me aktivitete të ndryshme, çfarë sportistët thonë se mund të ndikojnë jo pak në formën e tyre fizike në prag të fillimit të sezonit. Edhe veteranë të NBA si J.J.Redick e kanë refuzuar thirrjen e skuadrës kombëtare, me justifikimin se të vetmen periudhë në të cilën gjendet pushim, ai kërkon ta shfrytëzojë pranë familjes së tij. Kjo ka rikthyer diskutimin e kalendarit të NBA, por edhe atë të federatës botërore të basketbollit. Angazhimi prej 6-javësh në ‘Kupën e Botës’ do të thotë shumë kohë e humbur për yjet kryesorë të NBA, që gjithmonë i kanë dhënë prioritet kampionatit më elitar të basketbollit për klube se sa pjesëmarrjes në kompeticonet e ndryshme me kombëtaren e tyre.