Si gjithmonë, Diego Armando Maradona është i destinuar të ngjallë diskutime, qoftë me veprimet, apo edhe me deklaratat e lëshuara prej tij. Legjenda argjentinase, pas eleminimit të përfaqësueses albiceleste, ai u bë një tifoz i deklaruar Kolumbisë. Dhe nuk ka nguruar të sulmojë gjyqtarin e sfidës së të martës midis kolumbianëve dhe Anglisë. Madje nuk ka lënë pa drejtuar gishtin direkt nga FIFA, “armike” historike e “Pibe D’Oro”. Shkaku i këtij sulmi ka qenë penalltia e akorduar për anglezët, që zhbllokoi shifrat e ndeshjes: “Kolumbia pësoi një vjedhje monumentale. Gjyqtari Geiger, i cili është amerikan, me siguri njeh rregullat e bejsbollit, por jo ato të futbollit.
Eshtë një hajdut. Faullin e bëri Kane’, ndërsa ai dha penallti kundër kolumbianëve, që humbën pa pasur asnjë faj. Përse gjyqtari nuk kërkoi ndërhyrjen e VAR-it?”, kanë qenë fjalët e lëshuara nga Maradona, gjatë emisionit televiziv “De La Mano Del Diez”.Argjentinasi nuk e ka kapërdirë dot mënyrën sesi u skualifikua Kolumbia dhe ka vazhduar duke mos kursyer hapur as FIFA-n. “Duhet t’i kërkojnë falje popullit kolumbian. Gjyqtarët i zgjedh Kolina, i cili është emëruar nga presidenti Infantino. Njeriu që më mallëngjeu kur u shpreh se do të kishte pastruar FIFA-n nga korrupsioni dhe hajdutët. Por ajo që pamë është krejt e kudërta. FIFA është ende e vjetër dhe e trukuar!”, ka përfunduar “El Pibe D’Oro”, i cili pas bujës që bëri me skenat gjatë ndeshjeve të Argjentinës, tani ka zgjedhur të hapë polemika me fjalët e tij.