Ndihet i nderuar nga interesimi i presidentit të FSHF, Armand Duka. Mirëpo, Bledar Kola e ka refuzuar publikisht shansin që mund t’i jepej për të drejtuar Kombëtaren shqiptare. Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, i cili ka ndërtuar një karrierë në Greqi që në fillimin e viteve ’90, fillimisht si lojtar e tani si trajner, ka konfirmuar dje për mediat greke se është i përkushtuar tërësisht ndaj punës së tij, si zëvendëstrajner te AEK. Ndër të tjera, trajneri 46-vjeçar ka prantuar kontaktet që ka pasur me presidentin e FSHF, megjithëse nuk ka dashur të diskutojë detajet e bisedimeve. Thjesht ka theksuar se është i përkushtuar ndaj projektit 4-vjeçar që kanë filluar në klubin grek.
“Me presidentin Duka kemi një respekt dhe vlerësim të ndërsjelltë për njëri-tjetrin. Po ashtu prej kohësh ekziston edhe dëshira e përbashkët, për një bashkëpunim në ekipin kombëtar gjatë të ardhmes. Mirëpo për momentin nuk ka asgjë reale që duhet diskutuar, apo përmendur”, ka thënë Kola, i cituar nga grekët e “gazzetta.gr”. Ai ka nënvizuar disa herë faktin që është i përkushtuar plotësisht te projekti i AEK dhe te bashkëpunimi që ka prej vitesh me mikun, Mario Ozunidis. Sidoqë të jetë ai mbetet një tifoz i Shqipërisë, teksa nuk ka nguruar të urojë që Kombëtarja të dalë nga kriza sa më shpejt, me apo pa Panuçin. Për më tepër është shprehur i sigurtë se presidenti dhe kolegët e tij do të marrin vendimet e duhura, në të mirë të të gjithë futbollit shqiptar.