Pavarësisht deklaratave të trajnerit Jurgen Klopp, pavarësisht optimizmit në ambientet e klubit të Liverpool, Al-Ittihad nuk dorëzohet për Mohamed Salah. Prej javësh me radhë, kampionët sauditë kanë trokitur në dyert e gjigantëve të Premier League, dhe pavarësisht refuzimeve që kanë marrë, ata ende besojnë se egjiptiani do të transferohet në Lindjen e Mesme.
Faktori më i thjeshtë për t’u besuar që kjo çështje do të bëhet e vërtetë janë paratë. Oferta e fundit e Al-Ittihad në drejtim të Liverpool, për Salah është 250 milionë euro. Të paktën këto janë raportimet e mediave që vijnë nga ishulli.
Duke marrë në konsideratë që Salah ka edhe dy vite të tjera kontratë të vlefshme për Liverpool, padyshim që 250 milionë euro është një shifër marramendëse. Nëse gjithçka kompletohet me sukses, atëherë, Salah do të bëhej lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbollit.
Mirëpo, për të arritur deri aty, rruga duket ende e gjatë. Liverpool mund të lëkundet nga kjo ofertë, por problemi në këtë mes qëndron në faktin se merkatoja është mbyllur dhe klubi i kuq nuk mund të afrojë dot një zëvendësim të egjiptianit, i cili ka një rol tepër të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Jurgen Klopp.
Sakaq, në lidhje me këtë temë, nga ana e vetë Salah ende nuk ka një qëndrim. Me mjaft interes priten ditët vijuese, për të parë nëse Al-Ittihad do të rezistojë, apo do të tërhiqet nga gara për futbollistin 31 vjeçar.