Kristjan Asllani mund të transferohet tek Liverpooli. Referuar mediave britanike, trajneri i The Reds, Arne Slott është duke kërkuar një mesfushor me tipare mbrojtëse dhe sipas raportimeve, hollandezi ka nisur të shtojë interesin për djaloshin kuqezi. Slott kërkon të ketë një ekip një numër 6, që është lojtari tipik që pozicionohet përpara mbrojtjes, i cili bën lidhjen mes prapavijës dhe mesfushës, e gjithashtu kthehet në një mur për thyerjet e sulmeve të kundërshtarit. Mesa duket, futbollisti që plotëson këto kritere për teknikun Slot, është pikërisht Asllani. Që prej verës së 2022-shit, Asllani është pjesë e Interit, me zikaltërit që kartonin e tij e blenë nga Empoli për shifrën e rreth 15 milionë eurove. Përgjatë kësaj kohe të kaluar me kampionët e Italisë, Asllani nuk ka mund të sigurojë dot një vend titullari në formacionin e trajnerit Simone Inzaghi, megjithatë, nuk ka dyshim se sa herë që është aktivizuar, ka performuar në nivel të kënaqshëm dhe forma e tij ka ardhur gjithmonë në rritje. Edhe për sezonin e ri futbollistik që është në prag, Asllani nuk është projektuar titullar nga Inzaghi, kurse një ofertë më konkrete nga Liverpool, me më tepër minuta të garantuar, apo pse jo edhe titullar, ndoshta mund ta bënte lojtarin e përfaqësueses shqiptare të ndryshonte mendje dhe të transferohej në Anfield. Një mesfushor me tipare mbrojtëse në radhët e Liverpool është një çështje që në fakt nuk po merr zgjidhje prej një viti, ose diçka më tepër. Një lojtar të tillë e kishte kërkuar trajneri Jurgen Klopp, por pavarësisht tentativave, The Reds nuk patën sukses në ndonjë nga alternativat e tyre. Merkatoja e verës është ende e gjatë, kështu që më tepër të reja pritet të ketë në lidhje me çështjen në fjalë.