Problemet me drejtësinë, apo edhe moskualifikimi në Champions League për edicionin e ardhshëm, mund të kthehen me faktorë, që këtë verë, Juventusi të jetë i detyruar të shesë disa lojtarë të rëndësishëm të skuadrës.
Sikurse raportojnë mediat përtej detit, është pikërisht Liverpool që interesohet për shërbimet e Federico Chiesas. Gjigantët anglezë janë të gatshëm të ofrojnë deri në 45 mln euro, vetëm e vetëm që anësori i sulmit të bëhet pjesë e organikës së trajnerit Jurgen Klopp.
Disa kohë më parë, Chiesa, konsiderohej i paprekshëm për klubin bardhezi, mirëpo dëmtimet e rënda, e kanë kushtëzuar atë që të mbetet larg formës së tij optimale. Madje, të tilla rrethana, zbehën edhe çështjen e rinovimit të kontratës, që gjithësesi u diskutua për një periudhë disa mujore. Mirëpo edhe pretendimet e mëdha financiare nga ana e agjentit të futbollistit, i cili për të rinovuar, kërkonte 8 mln euro në sezon, nga 5 që lojtari përfiton aktualisht, është parë si një tjetër ngërç që situata nisi të merrte një tjetër drejtim.
Duke e parë situatën në këtë këndvështrim, sipas Juventusit, Federico Chiesa kushton 60 mln euro në tregun e merkatos dhe jo 45 sa ofron Liverpool. Mes klubeve në fjalë, ka një distancë prej 15 mln eurosh, por që pritet të diskutohet përsëri gjatë muajve të verës, sepse për The Reds, aspekti financiar nuk është një çështje problematike.