Fikayo Tomori mund të rikthehet në Angli. Në fillimin e kësaj jave, mediat italiane, raportojnë se klubi i West Ham United ka shfaqur interes për 26 vjeçarin. Mbrojtësi i qendrës, i bashkuar me Milanin 3 sezone me parë, ka një kontratë me kuqezinjtë deri në 2027-tën, mirëpo në futboll gjithçka mund të ndodhë.
Edhe pse Tomori është një nga shtyllat e formacionit të Milanit dhe një lider në mbrojtje, shitja e tij, nuk mund të përjashtohet. Siç bëhet me dije, nëse në drejtim të klubit kuqezi, do të shkonte një ofertë deri në 50 milionë euro për Tomorin, atëherë, Milani do të ulej në tavolinë për të diskutuar shitjen e lojtarit në fjalë.
Pra, në këtë rast, mesazhi është i qartë edhe për West Ham, që me 50 milionë euro, mund të siguronte shërbimet e britanikut, për ta rikthyer atë edhe një herë në Londër, duke qenë se 26 vjeçari është një produkt i akademisë së Chelsea. Mirëpo, kërkesa e Milanit, cilësohet disi e lartë nga The Hammers, të cilët duan të blejnë edhe futbollistë të tjerë në merkato, kështu që nuk mund të shpenzojnë dot kaq shumë vetëm për Tomorin.
Megjithatë, gjithmonë duke marrë për bazë informacionet e huaja, aksi Londër-Milano do të mbetet në kontakt. Me interes të lartë pritet në fakt se ç’do të ndodhë në këtë drejtim, sepse në rast shitjeje të Tomorit, atëherë, Milani do të niste punën për një tjetër mbrojtës të rëndësishëm, që të mos e diskutonte 11-tëshen titullare.