Sa herë që një lojtar lakohet në merkato, Manchester United është gjithmonë aty. Nuk mund të jetë ndryshe as kur bëhet fjalë për Jude Bellingham. Djaloshi që aktivizohet me Borussia Dortund, po zhvillon një Botëror të përkryer në përfaqësuesen angleze në Katar, e si pasojë klube me peshë të kontinentit kanë nisur ta monitorojnë me kujdes ecurinë e tij.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, United do provojë që të arrijë një marrëveshje me 19 vjeçarin që në merkaton e janarit. Në rast se Bellingham transferohet në “Old Trafford”, atëherë nuk përjashtohet mundësia që fantazisti të kthehet në lojtarin më të shtrenjtë të vendit të tij.
Vlera aktuale e yllit britanik cilësohet 100 mln euro, por duke marrë parasysh që ai ka një kontratë deri në 2025-tën me Dortmundin, atëherë vlera e tij mund të rritet në miliona të tjera.
Mirëpo nuk do jetë edhe aq e lehtë për Manchester United, sepse këtë situatë po e monitoron edhe Liverpool, Manchester City dhe Real Madrid. Ashtu sikurse United, edhe klubet e tjera të përmendura gëzojnë një gjendje të shëndoshë financiare. Sidoqoftë, në radhët e Real Madrid kanë të tjera kushte. 14 herë kampionët e Europës janë të mendimit për të mos shpenzuar shumë për Bellingham. Drejtuesit e Los Blancos synojnë më tepër sesa milionat që do t’i ofrohen, lojtari të përzgjedhë peshën dhe madhështinë e një klubi si Real Madrid.
Në fakt kjo është një temë, për të cilën pritet të ketë më tepër zhvillime pas Kupës së Botës. Për momentin, Bellingham është i përqendruar në Katar 2022 me Anglinë, aty ku është kualifikuar në çerekfinale dhe do të përballet me Francën. 19 vjeçarika luajtur në secilën prej 4 ndeshjeve të zhvilluara nga Anglia, dhe ka arritur të shënojë një gol, e po ashtu ka dhënë edhe një assist për shokët e skuadrës.