Jurgen Klopp ka ndërtuar tek Liverpool, një nga skuadrat më të forta të dekadës së fundit. ‘The reds’ janë shumë pranë arritjes së titullit kampion në Angli, diçka që i mungon klubit nga Merseyside prej thuajse 30 vitesh. Megjithatë, Klopp ende mendon se ekipi i tij mund të përmirësohet. Tekniku gjerman ka folur së fundmi rreth merkatos, ku nuk përjashtoi mundësinë e afrimit të 1 apo 2 lojtarëve me peshë, ndonëse nuk zbuloi asgjë më shumë rreth objektivave të drejtuesve të klubit. Për të qëndruar tek merkato, Klopp i ëshë përgjigjur edhe pyetjes së famshme se cilin do të zgjidhte mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Trajneri i Liverpool është mëse i sigurt në përgjigjjen e tij, duke zgjedhur argjentinasin përpara yllit të Juventus. Megjithatë, Klopp shpjegoi se të dy kanë gjëra që i bëjnë të jenë unik në lojën e tyre.
“Unë zgjedh Messin, edhe pse Ronaldon e admiroj vërtet shumë. Nëse do ta mendoje veten si lojtarin perfekt, do të doje gjatësinë dhe fizikun e Ronaldos, që kërcen shumë dhe vrapon shumë shpejt. Më pas është Messi, që e bën çdo gjë të duket aq e thjeshtë dhe për mua, ai është absolutisht i pabesueshëm.”
Tekniku i ‘the reds’ shtoi se ka patur fatin të përballet me të dy këta lojtarë dhe e di shumë mirë se të mbrohesh ndaj Messit apo Ronaldos është një mision thuajse i pamundur. Megjithatë, këto eksperienca kundër më të mirëve në botë e kanë ndihmuar jo pak për të zhvilluar edhe më shumë idetë e tij dhe jo më kot, Liverpooli aktual shihet si një makineri thuajse perfekte, që di të shënojë, të mbrohet dhe të prodhojë lojë të bukur.