Klopp tha se në ‘FA Cup’ do të luajnë të rinjtë, gjermani u përgjigjet kritikave!

Sport

Pas barazimit 2-2 me Shrewsbury në ‘FA Cup’, trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp lajmëroi se ai dhe skuadra e parë e ‘the reds’ nuk do të luajnë ndeshjen e kthimit në ‘Anfield’, por do të qëndrojnë pushim. Kjo shkaktoi irritim të disa tifozëve dhe sigurisht bëri të reagojnë edhe presidentë të skuadrave të kategorive më të ulëta, të cilët e kanë quajtur këtë zgjedhje si një lëvizje egoiste. Ai që ka folur hapur rreth kësaj ka qenë presidenti i Accrington Stanley, Andy Holt, që e quajti si të turpshëm këtë vendim të trajnerit të Liverpool. Sipas biznesmenit Holt, kjo tregon qartë egoizmin e atyre që luajnë në ‘Premier League’ kundrejt skuadrave të një kategorive më të ulëta, çfarë sipas tij nuk shkon me mesazhin që supozohet të përcjellë sporti.

Megjithatë, nuk ka vonuar edhe replika e Jurgen Klopp, i cili përsëriti se ai dhe lojtarët do të respektojnë pushimet dimërore të përcaktuara që në fillim të këtij sezoni futbollistik. Gjermani shtoi se nuk i intereson se si do ta interpretojnë skuadrat e tjera këtë vendim të tij, pasi për të, për momentin ka rëndësi gjendja fizike dhe psikologjike e lojtarëve të Liverpool, të cilët gjatë muajit shkurt do të hyjnë në pjesën më intensive të sezonit. Një nga arsyet pse skuadrat e nivele më të ulëta irritohen ndaj vendimeve të tilla është se një nga fitimet kryesore të tyre vijnë nga shitjet e biletave në sfidat e ‘FA Cup’, kundër ekipeve të ‘Premier League’-ës apo ‘Champioship’. Pavarësisht kritikave, tek Liverpool nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga ky vendim, prandaj në sfidën e kthimit ndaj Shrewsbury, në fushë për ‘the reds’ do të zbresin lojtarët e skuadrës nën 23 vjeç, të drejtuar nga trajneri i tyre, Neil Critchley.