Humbja që Liverpuli pësoi ndaj Barcelonës ishte nga ato që kanë lënë pak me shije të hidhur tifozët e “Reds”. Mirëpo duket se nuk e ka mërzitur shumë trajnerin Jurgen Klop i cili ka mbetur në fakt i kënaqur nga paraqitja që skuadra e tij ka bërë. Me përjashtim të rezultatit, Klop pranoi se i ka pëlqyer loja e zhvilluar nga ana e Liverpulit që për pjesën më të madhe të ndeshjes e vendosi në vështirësi Barcelonën brenda në “Camp Nou”, gjëje që pak skuadra ia kanë dalë më parë.Në prononcimin pas ndeshjes, ai nuk foli gjatë duke pranuar se “kështu është futbolli”, shprehje të cilën e përdor shpesh herë pas rezultateve jo të pëlqyeshme.
“Ja që në futboll duhet të shënosh gola. Ata realizuan 3, ne nuk shënuam asnjë pavarësisht se patëm raste, por paraqitja jonë ishte shumë e mirë. Futbollistët bënë një ndeshje të madhe, prandaj i përgëzoj. Jam shumë i kënaqur për këtë… me përjashtim të rezultatit. E pranojmë dhe njëherë rezultatin dhe bëhemi gati për ndeshjen e kthimit”, tha Klop. Më 7 maj, në “Anfielld Road”, do të duhet një përmbysje e madhe nga ana e skuadrës së Liverpulit. Megjithatë historia e freskët e Champions League ka treguar se çdo gjë është e mundur. Vetë Barcelona jo më larg se edicionin e kaluar u eleminua, edhe pse pati fituar 4-1 ndeshjen e parë cerekfinale kundër Romës, që më pas ishte në gjendje t’u shkaktonte katalanasve një humbje 3-0 në shtëpi. Pra, jo gjithcka mund të jetë e humbur për Klopp dhe djemtë e tij, për më tepër duke pasur parasysh që për disa minuta kontrolluan lojën edhe në fushën e Barcelonës.