Klopp nuk kursen elozhet për Van Dijk pas çmimit si lojtari më i mirë

Sport

Virgil Van Dijk ia doli të thyente dyshen e zakonshme Messi-Ronaldo për çmimin si lojtari më i mirë i sezonit të shkuar, dhënë nga UEFA gjatë shortit të ‘Champions League’. Holandezi ishte vlerësuar më parë edhe si mbrojtësi më i mirë i kompeticionit, teksa është zbuluar se ka mposhtur konkurencën e Messi dhe Ronaldos me një diferencë të konsiderueshme pikësh. Përkatësisht, Van Dijk kishte grumbulluar 305 pikë, kundrejt 207 pikëve të Messit dhe 74 pikëve të Cristiano Ronaldos. Një nga ata që e ka vlerësuar vazhdimisht Van Dijk është edhe trajneri i tij, Jurgen Klopp. Edhe kësaj radhe tekniku i Liverpool-it nuk i kurseu elozhet për mbrojtësin e tij, duke u ndalur gjatë tek domethënia e çmimit si lojtari më i mirë, dhënë nga UEFA. Sipas Klopp, fakti që trofeu shkoi për një qendërmbrojtës, teksa kandidadët e tjerë ishin dy golashënues të jashtëzakonshëm si Messi e Ronaldo, do të thotë shumë për ndryshimet që po pëson futbolli elitar.


“Është një sinjal i rëndësishëm për futbollin. Të gjithë i duam golat, por gjithnjë e më shumë njerëz tërhiqen nga mbrojtja. Van Dijk është një mbrojtës unik dhe e meritonte plotësisht këtë çmim.”


Që nga ardhja e tij tek ‘the reds’, Van Dijk ka dhuruar paraqitje me peshë për skuadrën e Liverpool. Madje në finalen e ‘Champions League’-ës në sezonin e shkuar, gjigandi holandez u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, që i dhuroi skuadrës së Jurgen Klopp titullin e gjashtë në historinë e tyre në elitën europiane.