Klopp: Nuk do na japin titullin prej virusit? Qesharake….

Sport

Premier League mund të pezullohet për shkak të emergjencës së Coronavirusit, kështu që Liverpulit rrezikon të mos i dorëzohet titulli kampion. Kjo ishte teza e hedhur gjatë ditëve të kaluara nga ana e mediave dhe “site”-ve angleze. Mirëpo trajneri i Reds, Jurgen Klopp ka qeshur përballë një hipoteze të tillë, duke thënë se janë thjesht sajesa. “Nuk besoj se tifozët tanë janë aq të çmendur sa të besojnë këto gjëra. Mendoj se janë njerëzit e painteresuar që sajojnë këto histori”, preu shkurt ai. Gjithashtu gjermani u kthye edhe te humbja e parë e sezonit kundër Uatfordit, që ndërpreu serinë prej 44 ndeshjesh radhazi në Premier League pa pësuar humbje, duke u shprehur se ecuria e deritanishme mbetet gjithsesi e pabesueshme.
Ndërkohë, është fakt që futbolli anglez ka filluar të frikësohet nga Coronavirusi, aq sa është gati të marrë masa, me synimin e ndalimit të përhapjes së mundshme të këtij virusi brenda kufinjve britanikë ku janë konfirmuar 40 raste deri tani. Sipas asaj që është shkruar nga ‘Daily Telegraph’ e ‘Daily Mail’, ka pasur një takim mes organeve më të larta të futbollit anglez, ku është diskutuar edhe mundësia për të luajtur ndeshje pa tifozë nëpër shkallët e stadiumit. Kryesisht do të ketë kontakte me Këshillin e Shëndetit Publik të Qeverisë, përpara se të merret vendimi ekstrem sa i takon spektatorëve nëpër ndeshjet që do të konsiderohen më me rrezik në aspektin e përhpajes së Coronavirusit. Sigurisht për klubet do të bëhej fjalë për një humbje të rëndësishme ekonomike, teksa luajtja e ndeshjeve me dyer të mbyllura do të sillte përfitime për stacionet televizive që do të shfrytëzonin këtë situtatë për të rritur të ardhurat, përderisa për tifozët, e vetmja mënyrë për të ndjekur një ndeshje do të jetë Televizioni. Ndër të tjera, më 27 mars në Uembli do të luhet një miqësore luksi mes Anglisë dhe Italisë, vendi që aktualisht ka numrin më të lartë të të infektuarve në Evropë. Për momentin duket se do të luhet normalisht me tifozë, të paktën deri në një reagim që mund të ketë qeveria angleze sa i takon situatës.