Klopp nuk beson tek dominimi anglez në Europë

Sport

Sezonin e shkuar, kompeticionet europiane u dominuan nga skuadrat e ‘Premier League’, pasi si në ‘Champions League’, edhe në kompeticionin më të vogël, ‘Europa League’, në finale gjendeshin skuadra angleze. Ky fakt u cilësua si një rikthim i futbollit anglez në majën e këtij sporti, por trajneri i kampionëve të Europës për klube, Jurgen Klopp, nuk beson që një sukses i tillë të përsëritet. Tekniku i Liverpool-it u shpreh se duke parë rritjen e cilësisë së skuadrave që marrin pjesë në ‘Champions League’, për skuadrat angleze do të jetë shumë e vështirë arritja e objektivave madhorë. Klopp tha se nuk e sheh aspak ekipin e tij si favorit për të triumfuar sërish në kontinent, teksa vuri theksin tek rritja e skuadrave nga ‘Bundesliga’.

Sipas trajnerit gjerman, ekipe si Bayern Munich apo Borussia Dortmund kanë bërë lëvizjet më të mira në merkato, prandaj rivalët e tyre në Europë duhet të marrin seriozisht kërcënimin që vjen nga këto klube. Në sezonin e kaluar, Liverpool-i ia doli të kalonte fazën në grupe me shumë vështirësi, por në fund rezultoi që ‘the reds’ të shpalleshin kampionët e Europës për të gjashtën herë në historinë e tyre. Klopp tha se pikërisht për këto gjëra, futbolli vazhdon të tërheqë gjithnjë interes. ‘Champions League’-a sipas tij është një kompeticion mundësish dhe shpesh përballesh me situata të pamenduara më parë. Sa i përket ekipeve favorite për këtë vit, Klopp deklaroi se sheh shumë skuadra me cilësi si Juventus, Real Madrid, PSG e të tjerë, prandaj për të edhe ky sezon do të jetë absolutisht i paparashikueshëm.