Jurgen Klopp (Trajneri i Liverpoolit): Më pëlqen Carlo Ancelotti! Në Gjermani kemi një shprehje “dhelpër dinake”, ai më ngjan fiks i tillë, mjaft dinak. Ka thënë shumë gjëra të mira si për skuadrën tonë, po ashtu edhe për mua përpara ndeshjes. Mendoj se që të gjitha janë taktikat e tij. Carlo ka qenë pjesë e futbollit për një kohë kaq të gjatë. Kemi përballë një trajner fantastik, një skuadër fantastike dhe një tifozeri të jashtëzakonshme. Por ne jemi gati për të luftuar fort njëjtë sikurse bëmë kundër PSG-ës. Në 2013-ën këtu, mu desh ta shikoja pjesën e dytë nga një dhomë e vogël në stadium. Më përjashtoi arbitri por unë dhe skuadra po bënim një nga performancat më të mira tonat. Gjithësesi ishte hera e fundit që unë i kaloja limitet. Nuk do të ndodhë më! Fitorja 5-0 ndaj tyre ndodhi në një miqësore në Dublin. Ishim mjaft të orientuar në atë ndeshje dhe shënonim thuajse pas çdo goditje. Napoli kishte gjithashtu shumë raste, por nuk ia doli të shënonte. Por kjo tashmë nuk ka rëndësi. Ka kaluar kohë, jemi në kompeticione të ndryshme dhe nuk kemi pse flasim më për atë ndeshje.
Georgino Wijnaldum (Mesfushor i Liverpoolit): Nuk e di se çfarë bëri gjatë fazës përgatitore, por Sturridge u kthye në një formë të shkëlqyer! Më mirë se në vitet e kaluara. Ai ka treguar së është mjaft i rëndësishëm për ne, jo vetëm për golat e tij, por edhe për mënyrën se si ai luan. Është vërtetë në një formë të mirë. Vijmë më përqëndrim maksimal dhe për të marrë tre pikët. I dimë vlerat e tyre, por tashmë jemi mësuar të luajnë në nivele të tilla kaq të larta. Mohamed Salah?! Vërtetë ai nuk po shënon gola sikurse vitin e kaluar, por ai mbetet po i njëjti për ne. Pikë referimi përpara dhe gjithmonë ai lojtar i rrëzikshëm për kundërshtarët. Po t’i shohim ndeshjet e fundit ai ka krijuar plot raste por nuk ka qenë dhe aq me fat, ndërkohë mbetet gjithmonë lojtari që asiston Firminon. Gjithsesi ne lojtarët e tjerë i kemi ndejtur afër dhe kemi besim se ai do t’i rikthehet sërish të njëjtës formë si vitin që shkoi.