Klopp, kryengritësi ndaj ‘diktatorëve’ të Bajernit!

Sport

klop
Bajerni mbetet një superfuqi e futbollit të kontinentit të vjetër. Mbi të gjitha në Gjermani. Jo vetëm në planin sportiv, por edhe ekonomik e politik. Në antipod qendron Jurgen Klopp, i konsideruar si kryengritësi ndaj pushtetit. Ai ishte i fundit që u hoqi dy tituj kampionë të ashtuquajturve “diktatorë” bavarezë. Saktësisht në 2011-n dhe 2012-n. Aq shumë u nervozuan në Mynih, sa që më pas fituan 6 tituj radhazi. E madje u hakmorrën duke i rrëmbyer Borusias së Klopit edhe trofeun e Champions League në 2013-n. E madje e bastistën më pas atë skuadër, duke i rrëmbyer Gëtzen, Levandovskin apo edhe Humels.
Tashmë kanë kaluar vite, por Klopp mbetet simboli i revoltës në futbollin gjerman. E nëse Liverpuli do të arrinte të eleminonte Bajernin, me siguri do të bënte një tjetër revolucion. Që nga 2011-a, “Reds” nuk dalin kaq shpejt nga Champions. Pikërisht në atë vit, kur në Gjermani dominonte Dortmundi i Klopit.
Ai është shprehur se nuk e di sesi do ta presin sonte në “Alianz Arena”, ku ka humbur disa herë, por edhe ka fituar mjaft. Mbi të gjitha, ekipet e tij kanë qenë protagoniste të ndeshjeve të mëdha, ndonjëherë edhe spektakolare.

GettyImages 1133399123

Aty, në Mynih, gojdhënat thonë se fati deshte të njihte edhe të shoqen, gjatë të famshmit Oktoberfest. Por në fakt rezulton se bashkëshorten e ka njohur në Mainz. Prandaj për Klopp, Bavaria është vendi, ku më shumë se dashuri ka përjetuar “armiqësi”… futbollistike. Për herë të fundit aty mbahet mend për faktin që eleminoi Bajernin nga gjysmëfinalja e Kupës së Gjermanisë. Atëherë bëri një festim të çmendur. Por pa thyer syzet siç ndodhi në shkurt të 2011-s, kur me Borusian me mesataren më të ulët të moshës gjunjëzoi 3-1 Bajernin, pas 18 ndeshjesh pa fitore.Në një moment u duk se ishte i destinuar të përfundonte në stolin e bavarezëve gjatë 2008-s, por si përfundim u preferua një tjetër Jurgen, ai me mbimerin Klisman. Sonte pas shumë kohësh, do të kërkojë t’u shkaktojë bavarezëve sërish dhembje. Aty, në Gjermani, ku edhe pse duket që nuk pëlqehet, të gjithë e vlerësojnë. Jo vetëm për tipin dhe cilësitë si trajner, por veçanërisht për faktin që është “kryengritësi” më i madh kundër “diktatorëve” të futbollit.