Klopp kërkon qetësi pas fitores ndaj Manchester United

Sport

Liverpool-i i këtij sezoni duket se nuk ka ndërmend të ndalet. ‘Të kuqtë’ e drejtuar nga Jurgen Klopp morën një fitore të pastër 2-0 ndaj rivalëve historikë të Manchester United, në një sfidë që u dominua krejtësisht nga ana e kampionëve në fuqi të Europës. Kjo fitorë vjen pas një tjetër triumfi të vështirë përballë Tottenham, çfarë duket se ka shtyrë përtej limiteve edhe entuziasmin e tifozëve të pranishëm në ‘Anfield’. Në sfidën ndaj Manchester United, tifozët e Liverpool dëgjoheshin teksa festonin dhe e konsideronin thuajse të mbyllur çështjen e titullit kampion në ‘Premier League’, duke parë dhe hapat fals të Manchester City dhe Leicester.
I vetmi që nuk feston, është trajneri Jurgen Klopp. Gjermani mbetet me ‘këmbë në tokë’ dhe kërkon kujdes maksimal nga ana e lojtarëve të tij, pasi nuk do që ata të përfshihen nga entuziasmi i tepërt.
“Tifozët kanë të drejtë ta festojnë këtë moment. Jemi në një situatë shumë të mirë dhe është e kuptueshme pse ata besojnë kaq shumë tek ne. Të gjithë duhet të festojnë, përveç nesh. Kemi ende shumë ndeshje përpara dhe na duhet të punojmë akoma për të përmbushur objektivat tona.”
16 pikë distancë nga vendi i dytë dhe 1 ndeshje më pak se kundërshtarët, Liverpool-i është në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion në ‘Premier League’ pas thuajse 30 vitesh. Gjatë muajit shkurt, impenjimet e skuadrës së Jurgen Klopp do të jenë të mëdha, pasi do të rikthehen të luajnë edhe në ‘Champions League’, ku e presin dy përballje të forta me spanjollët e Atletico Madrid.