Klaus Gjasula ishte një nga risitë e listës së Edy Rejas për dy ndeshjet e shtatorit, kundër Francës dhe Islandës. Mesfushori që luan me Paderborni në Bundesligën gjermane bëri debutimin e tij në “Stade De France”, duke u aktivizuar për disa minuta si zëvendësues. E mënjëherë mesfushori 29-vjecar ra në sy për faktin që mbante një kokore-mbrojtëse. Mësohet se ka marrë këtë masë, për shkak të frakturës së mollëzës në pjesën e fytyrës, teksa është shprehur se i jep ndjësinë se nuk do t’i ndodhë më gjë. E ka pranuar se do të preferonte që të dukej pak i çuditshëm kur luan futboll, por të jetë i shëndetshëm pasi kjo ka më tepër rëndësi për atë si lojtar. Vetëm përpara pak javësh ai nuk ka nguruar për të bërë thirrje publikisht, që të gjithë futbollistët të vendosin një mbrojtëse në kokë.
“Mendoj se për të gjithë lojtarët do të kishte kuptim nëse do të vendosnin një kaskë. Mund të duket qesharake, por me siguri mund të them se do të ishte më mirë për shëndetin e të gjithëve”, pati deklaruar Gjasula vetëm disa kohë më parë në mediat gjermane. Në fakt, ai mund të jetë futbollisti i parë shqiptar që mban një kokore kur luan, por nuk është i pari në historinë e futbollit. I njohur në këtë aspekt është ish-portieri Peter Cech, që tashmë e ka lënë karrierën si futbollist, duke marrë rolin e drejtorit sportiv të Chelsea.