Barcelona duhet të mbajë gjakftohtësinë nëse dëshiron të sigurojë titullin e 24-t të La Ligas të shtunën në udhëtim ndaj Granadas, në ndeshjen e fundit kampionale të stinorit. Kështu vlerëson sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez.
Barcelona ka fituar katër ndeshjet e fundit, pasi kishte kaluar katër ndeshje pa fitore, duke lejuar Atletico Madridin dhe Real Madridin që të ktheheshin në garë për titull.
Mirëpo, tani vetëm Reali mund të arrijë Barcelonën e Luis Enriques, pasi Atletico me humbjen në xhiron e kaluar nga Levante humbi gjasat.
Barça një xhiro pa përfunduar stinori kryeson me 88 pikë, një më tepër se Real Madridi që zë vendin e dytë. Atletico Madridi është tri pikë prapa Barcelonës, por edhe nëse e arrin me pikë skuadrën katalunase nuk mund ta kalojë atë, pasi Barça ka avantazh në duelet e drejtpërdrejta.
Real Madridit i duhet të fitojë në udhëtim ndaj Deportivo La Corunas të shtunën dhe të shpresojë në një dështim të Barcelonës ndaj Granadas, nëse dëshiron të fitojë titullin e parë të Spanjës që nga viti 2012.
“Ne duhet të jemi të fortë mendërisht. Në një moment do të vuajmë, por është normale, veçanërisht kur luan si mysafir”, ka thënë Suarez në konferencë për media të premten.
Uruguaiani thotë se është e vështirë të shpjegojë se si Barcelona që ishte në seri prej 39 ndeshjeve pa humbje, pësoi rënie të madhe duke dështuar të fitojë në katër ndeshje rresht në La Liga si dhe u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Atletico Madridi.
“Ne nuk mund të gjejmë një shpjegim, por kemi qenë më të bashkuar se kurrë dhe e kemi treguar se skuadra është ende gjallë. Kemi nxjerrë veten nga ajo vrimë dhe tani e kemi në duart tona për të fituar ligën”, ka deklaruar Suarez.