Pak ditë larg 26 majit të shumëpritur, Kievi është duke u përgatitur për të pritur finalen e parë të Champions League-s në historinë e vet, por edhe tifozët që do të mësyjnë në kryeqytetin ukrainas. Pritet të jenë të paktën 60 mijë fansa nga e gjithë Evropa, përfshi edhe 40 mijë nga Madridi dhe Liverpuli. E si në çdo finale të tillë, qyteti pritës dhe stadiumi do të jenë të armatosur me siguri maksimale. Janë 12 mijë agjentë policie që do të kenë detyrën për të garantuar rendin, mbi të gjitha me synimin për të ndaluar ndonjë sulm të mundshëm terrorist. Rreth 4000 prej tyre do të jenë të instaluar, vetëm brenda impiantit.
“Do të përfshihen në masat e sigurisë edhe një total prej 26 kontrollesh ajrorë dhe 51 nëpër autostrada. Do të impenjohen mbi 1000 roje kufitare dhe 100 qen shërbimi”, ka shpjeguiar Serhiy Yarovy, shef i policisë së Kievit. Ndërkaq, banerët e finalistëve kanë nisur të pushtojnë dalëngadalë stadiumin “Olimpik” (kapaciteti 70.000 vetë) të kryeqytetit ukrainas, si brenda ashtu edhe jashtë. Ndërkohë që logo e finales vërehet edhe në disa nga ndërtesat simbol të qytetit. Gjithçka do të jetë gati në fund të javës. Dhe të shtunën, atëherë kur pritet të zbarkojnë edhe tifozët, gjithçka do të jetë në kushte perfekte dhe me atmosfertën e vërtetë të një finaleje.