Carlo Ancelotti është tashmë ish-trajner i Bayernit dhe ai thotë se do të qëndrojë rreth 10 muaj pushim, por kjo nuk i pushon aspak mediat gjermane që të flasin për të. Gazeta Kicker ka zbuluar të martën se disa lojtarë të skuadrës stërviteshin në fshehtësi të italianit. Lojtarë kryesorë të bavarezëve kanë patur probleme dhe ankesa në lidhje me seancat stërvitore, aq sa disa prej tyre, sipas Kicker të ndiqnin programe individuale. Pas humbjes 3-0 me PSG në Champions League, drejtuesit e Bayernit vendosën ta shkarkonin Ancelottin. Shtypi gjerman ka raportuar shumë rreth asaj se cfarë ka ndodhur në ambientet e skuadrës. Kështu përveç zërave kundër, ku deri më tani janë përmendur 5 lojtarë, rezulton se ka pasur ankesa edhe për mënyrën sesi Ancelotti i drejtonte stërvitjet, aspak konkurruese dhe nxitëse. “Edhe djali im me skuadrën e shkollës, stërvitej më fort se sa skuadra jonë me Ancelottin” – citohet të ketë thënë Robben në lidhje me këtë temë. Në fakt holandezi është një nga 5 emrat që nuk kanë shfaqur aspak mbështetje për italianin as pas largimit të tij. Edhe Ribery, Hummels, Boateng dhe Muller, sipas Kicker kanë pasur ankesa në lidhje me programin dhe metodologjinë e aplikuar nga Ancelotti në stërvitje. Në fundjavë gazeta Bild raportoi se Ribery i telefononte Presidentit Uli Hoeness sa herë që ai zëvendësohej në një ndeshje, ndërsa Kicker këmbëngul se 5 lojtarëve të përmendur, i është bashkuar edhe Neuer. E pra përvoja me Bayernin e njollos me goxha aspekte negative karrierën e Ancelottit, i cili si trajner ka fituar 19 trofe, 3 prej të cilëve tituj të Champions League-ës.