Kevin Durant rrëfehet për transferimin tek Brooklyn dhe dëmtimin e rëndë

Sport

Prej 2 muajsh, Kevin Durant ka preferuar të qëndrojë në hije dhe të mos bëjë asnjë deklaratë në media rreth ndryshimeve që kanë ndodhur në karrierën e tij. Por më në fund, një nga lojtarët më të mirë të NBA është rrëfyer rreth transferimit të tij të bujshëm tek Brooklyn Nets, si dhe për dëmtimin e rëndë që pësoi në finalet e sezonit të shkuar. Durant thotë se mosrinovimi i kontratës me Golden State Warriors dhe kalimi tek Brooklyn Nets ishte plotësisht një dëshirë e tija. Ai siguroi se do të largohej nga Warriors vetëm për skuadrën e Brooklyn, pasi e pëlqen atë që drejtuesit e ekipit njujorkez po përpiqen të ndërtojnë.

Por një nga temat më të nxehta së fundmi rreth Kevin Durant ka qenë çështja e dëmtimit të rëndë të tij. Shumë tifozë fajësojnë skuadrën e Golden State Warriors, që e rikthyen në parket 30-vjeçarin përpara se të rikuperohej plotësisht nga dëmtimi i parë, çfarë përkeqësoi lëndimin e Durant, i cili do të mungojë me muaj të tërë. Por vetë basketbollisti nuk është dakord me këto zëra. Durant thotë se në asnjë moment, skuadra e Warriors nuk e detyroi të zbriste në parket, por ishte një vendim i tij, në përpjekje për të ndihmuar situatën në një moment mjaft të vështirë. Lojtari i ri i Brooklyn Nets pranoi gjithësesi se momenti i dëmtimit të tij do të ketë gjithmonë një impakt të madh tek ai. Kjo, pasi asnjëherë më parë në karrierë, nuk kishte pësuar një dëmtim të tillë kaq të rëndë, që do e mbajë larg sportit të tij të dashur për një kohë më të gjatë se sa ishte parashikuar në fillim.