Kevin De Bruyne drejt realizimit të ëndrrës, transferimit në Arabinë Saudite

Sport

Kevin De Bruyne është drejt realizimit të ëndrrës, transferimit në Arabinë Saudite. “Tani jam 33 vjeç dhe jam i hapur për gjithçka. Po flasim për shuma marramendëse parash, çka do të ishte diçka fantastike në fundin e karrierës sime. Ndonjëherë duhet të mendojmë edhe për gjëra si këto. Nëse luaj 2 vite në Arabi, do të ishte një shumë e jashtëzakonshme të ardhurash, diçka që në Europë, do të duheshin 15 vite për t’i plotësuar.”

Kështu deklaronte De Bruyne vetëm pak kohë më parë, duke u treguar tërësisht i hapur për të luajtur në Arabi, me synimin madhor, për të përfituar sa më shumë miliona, sepse 475 mijë euro në javë me Cityn i duken pak. Mesazhi i tij ishte i qartë, kështu që nga ai moment nuk ka vonuar shumë. Mediat në Angli, raportojnë se ylli i Manchester Cityt është shumë pranë transferimit në Lindjen e Mesme.

Klubi që është pranë blerjes së kartonit të tij është Al-Ittihad, që së fundmi ka prezantuar edhe trajnerin e ri, francezin Laurent Blanc. Ende nuk dihet oferta e klubit saudit në drejtim të Cityt për lojtarin, e po ashtu, nuk ka as informacione mbi kontratën që De Bruyne do të firmosë në Arabi, apo edhe se sa do të përfitojë në vit. E sigurt është që do të jetë një kontratë faraonike.

Me Manchester Cityn, De Bruyne ka edhe një vit kontratë, kurse vlera e tij në merkato është 50 milionë euro.