Në 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në ditën e flamurit, ishte e pamundur që Ferit Keta të mos i krenonte shqiptarët. Boksieri kuqezi triumfoi në ringun e Tetovës përballë gjeorgjianit Levani Lukhutashvili duke mos e mëshiruar kundërshtarin në asnjë moment. 5 raunde ishin të mjaftueshme që 35 vjecari nga Bulqiza ta gjunjëzonte rivalin e tij. Me vendosmërinë, përqëndrimin dhe qetësinë e zakonshme Keta e sulmoi Lukhutashvilin dhe pas një breshërie goditjesh të njëpasnjëshme 27 vjecari gjeorgjian u rrëzua në tapet.
Fitorja e 15 në 15 ndeshje për djaloshin kuqezi në boksin profesionist, e 12-ta me „knock-out“. Një rekord perfekt për Ferit Ketën, i cili e kishte përgatitur në mënyrë të përsosur këtë sfidë, pa diskutim me ndihmën e pamohueshme të trajnerit të tij Ismail Ketës. Feriti e nisi me vrull duelin duke e vendosur menjëherë në pozita mbrojtëse kundërshtarin, në këtë rrjedhë vijoi lufta raund pas raundi derisa Keta e „shkatërroi“ Lukhutashvilin plotësisht në raundin e 5-të. Një rikthim i madh për djaloshin shqiptar i cili rigjeti ringun e boksit pas thuajse 2 vitesh duke treguar menjëherë se sa vështirë është të mposhtësh Ferit Ketën. Menjëherë pas përfundimit të sfidës kampioni shqiptar falenderoi përzermërsisht publikun që e mbështeti në këtë fitore të rradhës
Keta pritet të rikthehet në ring në muajin Janar në një duel të rradhës që me shumë mundësi do të mbahet në Mynih të Gjermanisë.