Kërkohet nga Bayern Munich, lojtari i Tottenham mund të rikthehet në Gjermani

Sport

Ndonëse me Tottenham ka një kontratë që përfundon në verën e 2025-tës, kjo nuk e përjashton Heung Min-Son nga vëmendja e klubeve të tjera të kontinentit. Një prej tyre është Bayern Munich. Kampionët e Bundesligës duan të kenë një tjetër anësor kualitativ në radhët e tyre dhe drejtuesit e klubit mendojnë se koreano-jugori është pikërisht elementi i duhur që mund të shtohet në organikën e Julian Nagelsmann.

Pjesë e Tottenham që prej 2015-tës, Son ka qenë padyshim një prej lojtarëve më të spikatur të Spurs përgjatë kësaj kohe, por jo vetëm. Anësori i sulmit ia ka dalë të jetë gjithashtu edhe një prej futbollistëve më të mirë në Premier League.

Nuk dihet nëse nga Bayerni do ketë interesim konkret për të, aq sa aziatiku t’i bashkohet 6 herë kampionëve të Europës, por nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë Bundesliga për të do të ishte një rikthim, për shkak të së shkuarës së tij me Bayer Leverkusen.

Vlera më maksimale e Son në merkato ka shkuar në vitin 2020-të, atëherë kur konsiderohej 90 mln euro, ndërsa aktualisht, koreano-jugori kushton 20 mln euro më pak.

Ndërkohë, sa i përket Bayernit, duke u nisur këtu nga raportimet e mediave të huaja, drejtuesit e klubit nuk janë shumë të kënaqur me situatën e Benjamin Pavard, me mbrojtësin e djathtë që përgjatë kohëve të fundit është lakuar shpesh në merkato.

Një gjë e tillë nuk ka lënë aspak përshtyje pozitive në sytë e drejtuesve. Megjithatë, ata janë të vendosur që për momentin, francezit nuk do t’i ofrohet rinovim i kontratës, ndonëse ajo aktuale përfundon në verën e 2024-ës.