Kepa zyrtarizohet si lojtar i Real Madrid, dëmtim i rëndë për mbrojtësin Militao

Sport

Kepa Arrizabalaga është zyrtarisht një lojtar i Real Madrid. Sikurse ka njoftuar klubi në kanalin zyrtar, portieri do të qëndrojë i huazuar për një sezon në “Santiago Bernabeu”, teksa në marrëveshje nuk është përfshirë e drejta e blerjes së kartonit të lojtarit nga Chelsea.

Kepa ka ardhur si një përforcim i detyruar për Los Blancos, pas dëmtimit që pësoi në ligamentin e gjurit Thibaut Courtois përgjatë seancës stërvitore. Drejtuesit e klubit, nuk e panë të arsyeshëm që çelësat e portës t’i besoheshin ukrainasit Andriy Lynin, i cili sërish do të jetë një portier i dytë në “Bernabeu”. Thënë këtë, Kepa do të jetë zgjedhja e parë e trajnerit Carlo Ançelotti. Në 2018-tën, spanjolli u diskutua për t’u bërë pjesë e Real Madrid, por asokohe, marrëveshja nuk u kompletua, e kësisoj, 5 vite më vonë, fati e deshi që Kepa të vishte fanellën e bardhë.

Sakaq, kur sezoni sapo ka nisur, Real Madrid nuk i ka punët aspak mirë me dëmtimin e lojtarëve. Pas Dani Ceballos, Arda Guler, e Thibaut Courtois, futbollisti i radhës që është dëmtuar, është Eder Militao. Në minutën e 50-të në takimin ndaj Athletic Bilbao, braziliani doli mes lotësh nga fusha dhe në fakt problemi ishte serioz.

Ashtu sikurse Courtois, nga ekzaminimet e kryera, edhe Militao ka këputur ligamtnein e gjurit e majtë, çka do të thotë se mbrojtësi i qendrës do të mungojë të paktën 6 muaj, por që periudha e rikuperimit mund të zgjasë edhe më tepër.

Në kushte si këto, për momentin, Ançelotti ka mbetur me vetëm 3 qendërmbrojtës në dispozicion. Ata janë Alaba, Rudiger dhe Nacho. Ndoshta, kjo mund të jetë një arsye, që edhe një herë në gjendje emergjente, Reali t’i kthejë sytë nga merkatoja për një mbrojtës qendre.