Një nga momentet më interesante dhe që do të mbahet mend gjatë sa i përket sezonit 2018-2019, është edhe përplasja që pati portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga me trajnerin e tij në atë kohë, Maurizio Sarri, në finalen e ‘Carabao Cup’. Portieri spanjoll i është rikthyer atij episodi dhe ka folur nga grumbullimi i kombëtares spanjolle se nuk është aspak krenar për atë që ndodhi. Maurizio Sarri vendosi të zëvendësonte poriterin Kepa me Willy Caballero gjatë kohës shtesë, pasi u duk se spanjolli kishte marrë një dëmtim. Mirëpo në momentin e zëvendësimit, Kepa refuzoi të dilte nga fusha, duke krijuar konfuzion dhe një situatë të acaruar në stolin e Chelseat. Në goditjet e penalltive, Kepa do të arrinte t’i mohonte golin Leroy Sane, por gabimet e Jorginho dhe David Luiz do t’i jepnin trofeun Manchester City. Kepa është shprehur se do të donte që shumë gjëra në atë mbrëmje të shkonin ndryshe dhe se përplasja e tij me Sarrin u ekzagjërua përtej limiteve nga ana e medias.
“Nuk jam i lumtur për atë që ndodhi. Kam kaluar një javë të tmerrshme pas atij episodi dhe sigurisht që do të doja që disa gjëra të ishin zgjidhur ndryshe.”
Maurizio Sarri thoshte në atë kohë se çdo gjë ishte sqaruar pas ndeshjes, ndonëse në takimin e radhës të Chelseat, Kepa qëndroi në stol, për t’u rikthyer më pas titullar deri në fund të sezonit. Spanjolli u bë portieri më i shtrenjtë në histori gjatë verës së kaluar, kur ‘blutë’ e Londrës shpenzuan plot 80 milionë euro për të paguar klauzolën e tij tek Athletic Bilbao, duke eklipsuar edhe kalimin e Alisson Becker nga Roma tek Liverpool.