Kepa është jashtë forme, klubi kërkon një portier

Sport

Kepa Arrizabalaga u bë pjesë e Chelsea në vitin 2018, teksa klubi anglez pagoi plot 80 milionë euro për ta transferuar nga Athletic Bilbao, duke e bërë edhe portierin më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Por Kepa deri më tani nuk ka treguar asgjë nga ato që priteshin prej tij. Spanjolli vijon të vuajë për të impresionuar, teksa këtë sezon ka regjistruar disa rekorde negative në ‘Premier League’. Edhe drejtuesit e Chelsea-t kanë humbur durimin dhe tashmë thuhet se janë vënë në kërkim të një portieri, për t’i dhënë më shumë konkurencë Kepas, por edhe që trajneri Frank Lampard të ketë një alternativë të mirë për portën. Sipas mediave angleze, ‘blutë’ e Londrës po studiojnë me kujdes situatën e portierit të Burnely, Nick Pope, por edhe atë të Sheffield United, Dean Henderson.
Ky i fundit është një ndër më të spikaturit e këtij sezoni, aq sa ka fituar edhe shumë mbështetje që e shohin si portierin e Anglisë në ‘Euro 2020’. Për Henderson, problemi është se ai është në pronësi të Manchester United, që vështirë se mund të lejojnë largimin e tij drejt një rivali direkt, sidomos me këtë formë të mirë që ka shfaqur së fundmi. Sa i përket Kepas, kulmi i durimit tek Chelsea u arrit në derbin ndaj Arsenal, ku këtyre të fundit, për të barazuar u mjaftuan vetëm 2 goditje, njëra prej të cilave mund të ndalej lehtësisht. Në ‘Premier League’, ai ka përqëindjen më të ulët të pritjeve të goditjeve nga brenda zonës, vetëm 51%, teksa në krye qëndron Alisson i Liverpool me 70,6%. Madje në 7 kampionatet kryesore europiane, ai është portieri i 127 nga 132 sa i përket pritjeve të goditjeve brenda zonës, çfarë sigurisht është shumë larg asaj që duhet të japë portieri më i shtrenjtë në histori