Kepa e shikon me dyshim rikthimin tek Chelsea: Doja të ndryshoja ambient

Sport

Kepa Arrizabalaga e shikon me mjaft dyshim rikthimin tek Chelsea. I huazuar tek Real Madrid vetëm për një sezon, portieri spanjoll ka komentuar situatën e Bluve të Londrës dhe momentet e fundit të merkatos, që i dhanë atij mundësi të ndërronte ambient, diçka që e kërkonte me çdo kusht.

28 vjeçari ka cituar gjithashtu se projekti që Chelsea ka nisur, nuk i duket shumë bindës, e pavarësisht se Mauricio Pochettino e kishte njoftuar se e kishte në planet e tij, djaloshi bask kishte të tjera ide.

“Kuptova që kishte ardhur momenti të ndryshoja ambient, sepse e ndjeva se nuk ishte projekti i duhur për mua. Është e vërtetë që Pochettino donte që unë të qëndroja. Madje, ai më tha se do të luaja dhe se kishte besim tek unë, por mendova se një ndryshim do të ishte në të mirën time”, ka deklaruar Kepa.

Gjithashtu, ish-portieri i Bilbaos ka thënë se ai ishte në bisedime me Bayern Munich, me trajnerin Thomas Tuchel që donta ta kishte pjesë të skuadrës. Megjithatë, 28 vjeçari ka zbuluar se në momentin kur Real Madrid trokiti në derë, gjithçka ndryshoi, sepse një klub si Reali, asesi nuk mund të refuzohet.

Gardiani i portës së 35 herë kampionëve të Spanjës është i huazuar vetëm për një sezon në “Santiago Bernabeu”, me Realin që nuk ka asnjë të drejtë blerje të kartonit të futbollistit. Kjo do të thotë se në verën e 2024-tës, Kepa do të rikthehet sërish në “Stamford Bridge”, atje ku ka një kontratë të vlefshme deri në 2025-tën.

Duke marrë në konsideratë që portieri nuk e shikon me mjaft optimizëm projektin e nisur në klubin e Londrës Perëndimore, mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë e ardhmja për lojtarin 28 vjeçar.