Keane sulmon lojtarët e Manchester United dhe Liverpool

Sport

Roy Keane ka qenë një ndër lojtarët me karakterin më të vështirë në fushën e lojës, të cilit shpesh kolegët i shmangeshin. Irlandezi është njohur si një ‘luftëtar’ i fushës së blertë dhe për këtë arsye, ai thotë se e ka të vështirë të shohë gjendjen në cilën ndodhet aktualisht përballja më e madhe e Anglisë mes Manchester United dhe Liverpool. Keane thotë se në kohën e tij, presionin i përballjes me rivalin kryesor ndihej që në fillimin e javës dhe në momentin e ndeshjes, dhoma e zhveshjes ishte e përqëndruar për të hyrë në ‘luftë’ e jo në një ndeshje të thjeshtë futbolli. Por nga ajo që pa në sfidën e fundit mes Manchester United dhe Liverpool, Keane nuk nguroi të sulmonte lojtarët e të dyja skuadrave, duke thënë se ata ‘e kishin mendjen për t’u përqafuar me njëri-tjetrin’. Sipas veteranit të ‘djajve të kuq’, loja nuk ka ndryshuar aq shumë nga koha e tij, por janë lojtarët që e kanë kthyer takimin më të ethshëm në Angli në një sfidë që i përngjan një miqësoreje.


“Ata nuk e ndjejnë presionin e ndeshjes. Për ta është vetëm sfida e radhës për të cilën paguhen. Nuk ka asnjë rëndësi të veçantë. Kur ne luanim kundër Liverpool, as nuk flisnim me kundërshtarët, kur tani e kanë mendjen të shpëndajnë videot e njëri-tjetrit nëpër rrjete sociale.”
Sa i përket United, Keane thotë se fakti që Solskjaer i ka lënë lojtarët e tij të luajnë lirisht në fushë, sjell një situatë të tillë të papëlqyeshme për tifozët e ‘djajve të kuq’.