Katër klube angleze në garë për Josko Gvardiol

Sport

Manchester City nuk mund të ndihet më aq i qetë për Josko Gvardiol. Kampinët e gjithanshëm të momentit, konsiderohen më të avantazhuar për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të qendrës, mirëpo tanimë, garës i janë bashkuar edhe 3 klube të tjera të Premier League.

Mediat në ishull, nënvizojnë se bëhet fjalë për Liverpool, Manchester United dhe Chelsea. Që të treja pesha të rënda, si të futbollit në ishull, ashtu edhe në atë continental, të cilat po e ndjekin me vëmendje situatën e të talentuarit 21 vjeçarë.

Që prej disa javësh, City dhe Leipzg kanë nisur bisedimet për të gjetur një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që Gvardiol të transferohet në “Etihad”. Mirëpo, palët nuk kanë arritur dot ende në një emërues të përbashkët. Deri më tani, kërkesa e klubit gjerman është që operacioni të konkretizohet për 100 milionë euro, çka do të bënte që Gvardiol të kthehej në mbrojtësin më të shtrenjtë të historisë së futbollit.

Duke qenë se marrëveshja ka ngrirë prej disa ditësh, kjo ka bërë të mundur që Liverpool, United dhe Chelsea të zbresin në skenë dhe të rivalizojnë për mbrojtësin e qendrës.

Fakti që është 21 vjeç, por mjaft i matur, jashtëzakonisht i talentuar, e që mund të mbulojë më tepër sesa një pozicion në mbrojtje, ka bërë që për djaloshin nga Zagrebi, jashtë fushës së lojës, të fillojë një garë e ashpër mes klubeve angleze, të cilat, që të 4-ta e konsiderojnë të domosdoshëm përforcimin në qendër të prapavijës.

Gvardiol ka një kontratë të vlefshme me Leipzig deri në 2027-tën, por largimi i tij këtë verë nga klubi gjerman duket i pashmangshëm, vetëm se mbetet për t’u konfirmuar se në cilin klub do të transferohet lojtari kroat.